Prishja e ndërtimeve pa leje, Rama: Në hapësirat e zaptuara do bëhen kopshte e çerdhe
Rama sqarimin e projekt-buxhetit të 2026 e vijoi në njësinë 2 të kryeqytetit, ku u ndal edhe në aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje, një aksion që tashmë ka nisur nga Farka në Tiranë.
Gjatë u ndal në lirimin e hapësirave publike, ku deri tani vetëm në Tiranë janë liruar 100 mijë metër katrorë.
“100 mijë metër katrorë të liruara nga zaptuesit, po bëhen projekte për t’i kthyer në hapësira në dispozicion të komunitetit. Po i bëjmë projektet me agjencinë e zhvillimit të territorit, kemi angazhuar arkitektë vendas e të huaj, të ofruar pa para, për të bërë kontribut për komunitetin”, tha Rama.
Pavarësisht kritikave për sulmet ndaj gjyqtarëve, Rama nuk tërhiqet. Shefi I qeverisë thotë se përmes disa vendimeve në favor të bizneseve ata kanë treguar se janë ose të korruptuar ose injorantë të ligjit.
"Këto probleme të trashëguara nuk janë zgjidhur më parë dhe sot hasin vështirësi për shkak të injorancës dhe korruptimit të gjykatësve. Njëra nga të dyja ose të dyja së bashku sepse duhet të jesh o injorant ose i korruptuar që t’ia mohosh komuniteteve që të drejtën për të pasur hapësirat e tyre që iu njohin ndërtueseve një të drejtë që nuk iu takon", tha Rama.
Në mungesë të kryebashkiakut, tiranasve u premtoi zgjidhje edhe për problemet lokale.
Në fund, Rama tha se me besimin që qytetarët i kanë dhënë, mandate i katërt do t’i vërë kapakun edhe integrimit.
Rama tha se nuk do të lejohet asnjë metër i ndërtuar la leje, pasi do të prishet dhe hapësira do të shfrytëzohet për ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve.
‘Do të jemi këmbëngulës në goditjen e fenonemit të ndërtimeve pa leje, ka nisur një operacion në Farkë dhe do të vijoi metër për metër dhe çdo metër tepër, që më tepër të bëra nga një lloj babëzie për të shitur më shumë dhe shumë shtrenjtë në kurriz të qytetit nuk kanë për t’i gëzuar dot ata që i kanë bërë.
Ose do të shemben sipas rastit duke i hedhur në erë ato vilat, ose duke i shembur në mënyrë mekanike, aty do të bëhen çerdhe dhe kopshte dhe hapësira që i shfrytëzon bashkia. Unë jam besim plotë që ky mandat me këtë fuqi që na kanë dhënë njerëzit do t’i vërë vulën shumë gjërave. Duke nisur nga ulja e vendit në BE si e barabartë mes të barabartëve’, tha Edi Rama.